Në suazat e aktivitetit “Kabinet i hapur”, sot Kabinetin e Presidentit e vizituan nxënës nga shkolla nëntëvjeçare nga Shkupi “11 Tetori” dhe nxënës nga shkolla e mesme për persona me dëgjim të dëmtuar “Shën. Maria” nga Rumania, të cilët po qëndrojnë në vend si mysafirë në qendrën shtetërore shkollore për arsim dhe rehabilitim “Partenija Zografski” nga Shkupi.
Nxënësit e shkollës nëntëvjeçare patën mundësi të takohen dhe të bisedojnë me Presidentin Pendarovski mbi aktivitetet dhe funksionimin e Kabinetit, si dhe mbi interesat e tyre shkollore dhe jashtëshkollore.
Të ftuarit nga Rumania, nga ana tjetër, u njohën me historikun e objektit ku ndodhet Kabineti. Në takimin me Presidentin Pendarovski biseduan mbi punën dhe kompetencat e tij, si dhe për qëndrimin e tyre në shtetin tonë.
Vizitorët e sotëm qëndruan në ambientet ku mbahen takimet zyrtare dhe të punës, ceremonitë, takimet dhe konferencat për shtyp. Në sallën “Mozaik” e panë diptikun impozant “Maqedonia – vend i ndritshëm” dhe “Maqedonia – vendi kujton” të autorit – akademikut Gligor Çemerski.
Në 5 vitet e fundit, në suazat e “Kabinetit të hapur” institucionin e kanë vizituar disa mijëra qytetarë të profesioneve dhe moshave të ndryshme, studentë nga vendi dhe jashtë, si dhe nxënës të shkollave të mesme dhe nëntëvjeçare nga vendi dhe jashtë vendit.





