Bashkëshortja e Presidentit, Elizabeta Gjorgievska sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në konferencën “Kontributi i romeve në shoqërinë demokratike maqedonase” që u mbajt me mbështetjen e saj në Kabinetin e Presidentit, kurse me iniciativë të organizatave joqeveritare të grave rome: R.O.ZH.M. “Daja”, Shoqata e grave rome “Esma” nga Shkupi, Shoqata e romëve “Çerenja” Shtip, Asociacioni rom për gratë dhe të rinjtë “Llulludi”, Shoqata e qytetarëve MIR dhe Shoqata “Iniciativa për të drejtat e grave rome nga Shuto Orizari”.
Qëllimi i kësaj konference është që nëpërmjet artikulimit të temave që lidhen me përforcimin e tyre në shumë fusha dhe kontributin e tyre në shoqërinë demokratike maqedonase t’i kushtohet vëmendje lëvizjes së romeve dhe sfidave të organizatave joqeveritare të grave rome në drejtim të urëzimit të tyre për arritjen e vazhdimësisë në aktivitetet e tyre.
Në vijim është teksti i fjalimit të bashkëshortes së Presidentit, znj. Elizabeta Gjorgievska.
Të nderuar,
Jam krenare që sot jam në shoqërinë e grave shumë të guximshme, të qëndrueshme dhe luftëtare të cilat në dy-tri dekadat e kaluar kanë punuar me mund dhe ende punojnë në përparimin e pozitë së grave dhe vajzave rome. Kënaqësia është enorme që me disa prej jush të shihemi përsëri dhe së bashku të bisedojmë mbi sukseset dhe dilemat tuaja. Besoj se fjalimet tuaja do të jenë nxitje, inkurajim dhe shpresë për të gjithë të pranishmit.
Ky eveniment, duke i prezantuar përvojat e ndryshme dhe zërin e aktivisteve rome, premton zhvendosje të diskursit për romet nga pikëpamjet e përditshme stereotipe, drejt njohurive të bazuara në përvojat personale të përfaqësuesve të këtij grupi dhe do të flasë zëshëm mbi luftën për drejtësi sociale dhe barazi gjinore në vetë bashkësinë dhe në demokracinë shoqërore. Perspektiva e gruas rome, ngritjet dhe rëniet e saj, sakrificën, qëndrueshmërinë dhe guximin e saj mund ta kuptojmë vetë nëse gruaja rome përfshihet drejtësisht në të gjitha proceset shoqërore, nëse ajo vetë e krijon perceptimin për veten dhe për bashkësinë nga vjen dhe nëse merr pjesë në të gjitha vendimet që e tangojnë.
Iniciativa për luftën e vazhdueshme të grave rome dhe rezultatet që i shohim sot lidhen ngushtë me punën e organizatave joqeveritare të grave rome që veprojnë si korrigjuese e institucioneve, ndryshojnë ndërgjegjësimin dhe perceptimin e grave rome në shoqëri. Besoj se fillimet nuk kanë qenë të thjeshta. Gjithashtu, besoj se edhe sot, kjo luftë nuk është e thjeshtë, duke pasur para sysh faktin se ju mungon qëndrueshmëria financiare e projekteve që të ketë vazhdimësi të aktiviteteve dhe të mbahet grupi qëllimor me të cilin punoni. Prandaj sot jemi këtu që t’i adresojmë sfidat tuaja. Duhet të punojmë shumë së bashku që t’i tejkalojmë barrierat të cilat e vështirësojnë ende luftën tuaj me diskriminimin e shumëfishtë ndërsektorial. Guximi, motivimi, këmbëngulja juaj e kanë lehtësuar rrugën për brezat që ju ndjekin në luftën për tejkalimin e stereotipave, paragjykimeve, diskriminimit gjinor dhe qasjes së kufizuar te të drejtat themelore të njeriut. Prandaj luftën tuaj duhet ta vazhdojmë me përpjekje të përbashkëta duke përfshirë institucionet kompetente, bashkësinë, gruan rome si individ dhe të gjithë faktorët e shoqërisë demokratike maqedonase.
Nuk duhet të lejojmë që vetëm në ditë të caktuara aktuale të konstatojmë një përparim të caktuar dhe të alarmojmë mbi problemet të cilat për dikë janë përditshmëri. Obligimi ynë i përbashkët është të reagojmë kur dikush ballafaqohet me shkurtimin e të drejtës për jetë me dinjitet dhe të drejtës së përzgjedhjes. Për këtë arsye e konfirmoj mbështetjen time mbi përparimin e pozitës së romeve në bashkësinë maqedonase dhe ju bëj thirrje të jemi mbartës të ndryshimeve pozitive.
Në fund, në prag të 8 Marsit, ju uroj përzemërsisht me dëshirë për mbështetje të ndërsjellë dhe dëgjim nga institucionet kompetente për angazhimet tona të përbashkëta. Shpreh mirënjohjen time për të gjitha gratë dhe vajzat rome, heroina të njohura dhe të panjohura të cilat në asnjë moment nuk hoqën dorë nga lufta për të tejkaluar pengesat dhe barrierat që ua vendos shoqëria dhe u bëj thirrje të jenë të qëndrueshme dhe këmbëngulëse në luftën e tyre. Ju faleminderit për kontributin tuaj në shoqërinë demokratike maqedonase.





