Presidenti Stevo Pendarovski, sot në kazermën “Ilinden” në Shkup mori pjesë në evenimentin për nder të pjesëmarrësve të forcave speciale të Armatës të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët morën pjesë në operacionin humanitar shpëtues pas tërmetit katastrofal në Republikën e Turqisë.
Bëhet fjalë për ekipin e Armatës për mbrojtje dhe shpëtim të Batalionit të forcave speciale, udhëheqësve dhe qenve të trajnuar për gjurmim, të cilët ishin angazhuar në Kahramanmarash.
Në këtë eveniment përfaqësuesit e Armatës i treguan një pjesë të përvojave të veta në përfundimin e detyrave. Ekipi është angazhuar për kërkim në terren, gjetjen dhe nxjerrjen e personave të cilët kanë mbijetuar. Përgatitjen dhe sakrificën e vet në dhënien e ndihmës ekipi maqedonas i Armatës e dëshmoi edhe me aksionin e suksesshëm të nxjerrje së fëmijës 5-vjeçar nga rrënojat.
Presidenti Pendarovski i përgëzoi përfaqësuesit e armatës dhe profesionalizmin e dëshmuar dhe përpjekjet mbinjerëzore, duke theksuar se angazhimi në vendngjarje ishte në rangun e arritjeve më profesionale që mund të priten.
“Populli maqedonas, të gjithë qytetarët maqedonas e ndihmuan Turqinë dhe do ta ndihmojnë edhe në të ardhmen në çfarëdo situatë jo sepse jemi anëtarë të NATO-s dhe se jemi aleatë formalë, por sepse miqësia jonë, miqësia e popujve tanë është prej shumë shekujsh më parë dhe do të vazhdojë edhe në shekujt që vijnë, kështu që dua t’i bind të gjithë qytetarët turq nëpërmjet ambasadorit të tyre këtu dhe nëpërmjet publikut se i kemi ndihmuar dhe do t’i ndihmojmë”, tha Presidenti Pendarovski.





